Irma Kurti

Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 1980 u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri”. Në 1989 fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga Radio – Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.
Në publikun e gjerë njihet si krijuese e suksesshme e teksteve të këngëve të lehta në festivale kombëtare e veprimtari muzikore të organizuara në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Ka shkruar mbi njëqind tekste këngësh në gjuhën shqipe, italiane dhe angleze.
Irma Kurti ka botuar nëntëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, dymbëdhjetë në gjuhën italiane dhe katër në anglisht. Librat e saj janë botuar dhe në rumanisht.
Për poezinë e prozën i janë akorduar 50 çmime në konkurse të ndryshme letrare, ndërmjet të cilave shumë çmime të para, të dyta e të treta në Itali, në Zvicër, në Shqipëri dhe SHBA.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Bashkëpunon me gazeta të ndryshme në gjuhën shqipe.
Irma Kurti jeton në Bergamo të Italisë.

Stinët e mia

E sheh atë shtëpi lart në kodër
që porsi një kërpudhë ka mbirë?
Atje do të doja të strehoheshim,
larg botës së çmendur, unë e ti.

Trupin do të ma mbulosh me lule
dhe do të më duash në çdo petal,
brishtësitë do të mbash në duar
kur të më prekësh si një fllad.

Era do t’i flakë tutje petalet,
do të zbulojë vjeshtën tek unë,
vyshkjen, perëndimin e bukurisë
e rininë e tretur në çdo rrudhë.

E sheh atë shtëpi, gati ireale,
sfond i një përralle të lashtë?
Dua t’i jetoj atje stinët e mia,
për një muaj, një javë a më pak.

Erërat e së kaluarës

Erëra të së kaluarës, merrmëni ju
e porsi një gjethe më hidhni larg,
më bëni që të fluturoj në kaltërsi,
më përplasni në Tokën mëmë pastaj.

Rrëzomëni në ballkonin e shtëpisë,
më lini ashtu, të dergjem në tokë,
dua të ndjej tingujt edhe zhurmat,
aromat, nëpër vite kam humbur plot.

Të jetoj prapë ato ditë të largëta,
dashurinë e pastër si uji në burime,
të shoh prindërit, dhurata më e bukur
që kam marrë deri sot në jetën time.

Tek e fundit, çomëni ku të doni ju,
si gjethe vjeshte do rri e bindur,
mbi sipërfaqen e një deti a liqeni,
në Atdhe do të jem gjithnjë e sigurt.

Erëra të së kaluarës, merrmëni ju
e porsi një gjethe më hidhni larg…

Trupi im prej gruaje

Në netët e gjata ku mungojnë dritat,
errësira me një masë qymyri më ngjan,
përgjoj trupin tim: rrahjet e zemrës,
ankthet që ma vrasin gjumin padashur.

Dhe s’e kuptoj përse s’mundem ta njoh,
nxehtësia më pushton si valë e nxehtë,
trupi im nuk më përket e ngatërrohen
bashkë dy stinët: dimri me pranverën.

Ti fle i qetë pranë meje, nëpër ëndrra,
krahët e mi të zgjatur nuk të arrijnë.
Kushedi në ç’toka të largëta shkel atje
dhe s’e dëgjon thirrjen time për ndihmë.

Një ditë nuk do të njohësh tek unë gruan
që deshe, një e panjohur do jem për ty,
disi më nervoze, e heshtur dhe e menduar,
do të kesh humbur rrudhat e mia sigurisht.

Do të të vijë keq që nuk m’u ndodhe pranë
për t’më shoqëruar përdore si një fëmijë,
të kapërcenim urën, në të cilën çdo grua
brishtësinë hedh pas krahëve përgjithnjë.

Ma lini mua ketë perëndim dielli

Ma lini mua këtë perëndim dielli,
retë e skuqura si të zëna në faj.
Besomëni, as peneli i një piktori
s’do të arrijë kurrë që të derdhë
në telajo bukurinë e tij të rrallë.

Këtë herë s’do e krahasoj diellin
me një top të madh dhe të zjarrtë,
por me syrin që ndrit i dashuruar…
brenda qepallave të mbyllura, ai
po përpiqet të hyjë dalëngadalë.

Do t’i mbetem besnike asaj magjie,
ngjyrave të përziera të ylberit,
drithërimave që më përshkojnë sot
trup dhe shpirt, ashtu si gishtat
udhëtojnë mbi tastierën e pianos.

Ma lini mua këtë perëndim dielli.

One response to “Irma Kurti”

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: