Rita Petro Filipi

Rita Petro (Filipi), e lindur në Tiranë, më 13 mars 1962, e diplomuar për Letërsi e Gjuhë Shqipe në Universitetin e Tiranës; e specializuar për Filozofi e Kulturë greke në Universitetin Filozofik të Athinës (1993), me profesion specialiste didakte për lëndën e Gjuhës e të Letërsisë në shkollë; autore në 40 tekste shkollore, drejtoreshë dhe bashkëthemeluese e shtëpisë botuese Albas, një prej kompanive të njohura të botimit me degët e saj në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë; me një kontribut të njohur në poezinë bashkëkohore shqipe për frymën “skandaloze”, kontraversale; pjesëmarrëse në disa festivale poetike brenda dhe jashtë vendit, e botuar në disa revista letrare, e përkthyer nga disa emra të njohur në botën e letrave, si në frengjisht nga Edmond Tupja, Ardian Marashi, Luan Rama, në gjermanisht nga Hans. J. Lanksch, në anglisht nga Robert Elsie, Ukë Buçpapaj, në rumanisht nga Marius Dobrescu dhe Luan Topçiu, në maqedonisht nga Alush Kamberi etj, në greqisht Niko Kacalidha etj.

Libra poetikë
“Vargje te përfolura” , Tiranë 1993, botoi Konica
“Shija e instinktit” , Tiranë 1998, botoi Toena
“Këtu poshtë këndohet live, Tiranë, 2002, botoi Albas
“Në intimitet…nga Rita”, Tiranë, 2006, botoi Albas
“Vrima”, Tiranë, 2014, botoi Albas
“Kënga e turmës”, 2016, botoi Albas
“L’Origine”, L’Harmattan, Paris, 2015, përktheu në frengjisht Luan Rama
“Originea lumii”, București, 2018, përktheu ne rumanisht Marius Dobresku dhe Luan Topçiu
“ПЕСНА ОД ТОЛПАТА”, Tetovë, 2017, përkthyer nga Alush Kamberi

ÇMIMET
Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë – Lumo Skendo, 2014,
Çmimi i “Karrierës për krijimtarinë poetike”, 2015
Çmimi “Onufri”, në Festivalin poetik të Verës, (1999)

Zonë e ndaluar e dashurisë

Fragment nga “Poema e fundit për dashurinë”; libri “Vrima”

Dhe…?
Çfarë bëre pastaj? E kapërceve gardhin?
Ç’pyetje koti! Edhe tela me korrent po të ishin, do ta kapërceja…

Tashmë jam në ZONËN E NDALUAR TË DASHURISË
Krah për krah shkojmë me të dashurin
Duke shkelur lehtas mbi barin e butë
Kujdesemi mos shtypim asnjë milingonë apo kërmill me guaskën në shpinë…
Ai këput lule e m’i rrethon rreth qafës
Unë këpus gjethe e ia rrethoj rreth kokës
Ai pi ujë dhe ma derdh brenda gojës
Unë kafshoj një mollë dhe kafshatën ia fut në gojë
Ai më përqafon e më drithëron aty te burimi
Futet brenda meje aq bukur e bëhemi një…
Lëvizim në sinkroni trupat në barin e butë në kërkim të orgazmës…
– Sperma është lëngu kimikisht më i pastër, – thotë ai.
– Më i pastër se burimi? – e pyes unë.
– Po, dhe më e ngrohtë se del prej trupi.
– Sa shumë spermë që lëshon shatërvani yt dhe ajo nuk ka të mbaruar…
Cili vallë është sekreti i burimit tënd që nuk shter?
Kryqëzohemi në lëndinë mbi njëri-tjetrin…rrimë ashtu gjatë…
Njëri me sytë nga qielli e tjetri me sytë nga bari
Dhe pastaj ndërrojmë pozicionet…
Një re e bardhë rrëshket në qiellin e kaltër…
Një nusepashkë kërcen mbi fijet e larta të barit…
Kur vjen nata hëna na derdh mbi trupat lakuriq dritën e argjendtë
Dhe përsëri dashurohemi deri në orgazmë
Bulkthi shoqëron psherëtimat tona në ekstazë
Flemë mbi krahët e njëri-tjetrit dhe shohim të njëjtën ëndërr
Lundrojmë në të njëjtin drejtim lumi mbi të njëjtën barkë
Vetëm se ti me lopatën e djathtë, unë me të majtën
Lundrojmë të arrijmë te Burimi i Përjetësisë dhe
Ah, ç’lumturi…
Jemi pikërisht ATY…

Kënga e turmës

Këndova këngën tënde turmë,
Më shumë se këngën time,
Se gërmova aty thellë ku ti ke frikë të hysh nga
Manipulatorët.
Këndova në rreshtin e parë,
Por ti më vure para.

Të dua se je e vërtetë,
Je e përlyer, erëdjersë, erëhashash kundërmon,
Je ndjellëse, gojëpisët, e marrë, budallaqe,
Kokëkrisur, zemërplagë, gojështhurur,
Zëfortë, potente, vullkan, e pandalshme…

T’u dhashë ty trup e shpirt,
Po në vend të dashurisë
Më qëllove me baltë, gurë, mutra të tharë
Me gjithçka që të dilte përpara
Se në dorë t’i jepnin manipulatorët,
Dhe, kur u largova prej teje, më deshe prapë,
Se ç’kuptim do kishte jeta jote pa mua,
E imja jo e jo pa ty.

Dhe ja ku më ke,
Lakuriq para teje kam vendosur të jem,
Duke kënduar bukurinë e frikës nga mëkati
Kundër frikës që na mban mbërthyer në vend.

Mëkati i shegës

Ti tinëzar i vogël
Që më dhurove një shegë gojëhapur
Nga kopshti i shtëpisë së babait,
A i sheh pasojat e tua?
Kafshuar prej shegës tënde
Lënggjaku rrjedh çurg
Mbi buzët e mia…

Ti hajdut i vogël
Që vodhe shegën
Nga oborri i shtëpisë së babait
Atë shegë që s’duhej ta prekje me dorë,
A i sheh pasojat e tua?
Kafshimi i qenit të babait,
Gjak t’i bëri buzët.

Dy fytyrëplagë
Dy buzëqepur
Nga mëkati i shegës…

Faleminderit që më bëre grua, o zot!

Unë dhe ju gra,
Kemi një gjë katërcipërisht të përbashkët
VAGINËN,
Dhuratën hirplotë që na e fali Zoti;
Edhe kur na e pështyjnë,
Njollosin e përbaltin
Kemi një gjë të përbashkët
VULLNETIN
Për ta pastruar e lyer me kremra e vajra erëmira;
Edhe kur duan të na e rrëmbejnë e të na e përdhosin me forcë
Kemi një gjë të përbashkët
GUXIMIN për ta mbrojtur edhe me jetën tonë;
Edhe nëse e humbim për një çast
Për shkak të pafuqisë femërore
Kemi një gjë të përbashkët
AFTËSINË
Për ta rigjeneruar e shenjtëruar sërish në brendësinë tonë;
Edhe kur e ndiejmë pushtetin e bukur mashkullor
Kemi një gjë të përbashkët
KËNAQËSINË
Për ta mirëhapur e mirëpritur në thellësi të saj;
Edhe kur na thërret instinkti amësor
Kemi një gjë të përbashkët
INTUITËN
Për ta lëshuar vezën farëpritëse gati për fekondim;
Edhe kur ndiejmë në brendësi
Pulsimin dhe goditjet e këmbkave nën bark
Kemi një gjë të përbashkët
GËZIMIN e çmendur që këlthet prej së brendshmi:
FALEMINDERIT QË NA BËRE GRA, O ZOT!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: