Zyrafete Kryeziu-Manaj, ka lindur në Suharekë.
Shkollën fillore dhe të mesme e ka kryer në vendlindje, kurse Fakultetin e Kulturës Fizike në Prishtinë.
Pas mbarimit të studimeve punoi si mësimdhënëse në Suharekë, Gllarevë të Klinës dhe në Gadime të Lypjanit.
Shkaku për ndërrimin e vendeve të punës është se Zyrafeti u burgos në vitin 1982, për veprimtarinë e saj atdhetare dhe e kishte të vështirë ushtrimin e profesionit të saj.
Nga vitin 1992, kjo punonë e vepronë në Suedi.
Është udhëheqëse e “Rrjeti i gruas krijuese dhe aktive” në Suedi.
Botime të autores:
-Lot i tronditur, 2001, “Dritro” Tiranë.
-Vasha e valëve, 2010, “Fidani” Prizren.
-Mbi uraganin e dhimbjeve, 2012, “Fidani” Prizren.
-Aty ku prehen dashuritë, 2014, “Beqir Musliu” Gjilan
-Gulqim në Metafor, 2016 Atunis Prishtinë.
-Halil Malaj-Një jetë histori, ( Monografi),2019 Lena Grafik, Prishtinë.
Si me t’folë sot
(Nënës time, në dy vjetorin e ikjes në amshim)
Me cilën fjalë me nis ditën për ty
E yjet që të bëjnë roje
Çka t’ju them?
Brinjët mi numroje pas hileve të turturave
Me ofsham flisje
E ngrehje cepin e buzëve
Thoje,
Lirija nganjëher dhemb,
dhemb oj bijë.
Nën palët e shpirtit
E fshihje merzinë
A të kujtohet nënë…?!
Kur në dhe të huaj hapnim varrë
Për loqkën tënde
Që mbeti anve të botës
Pa mujt me ardh bri teje,
Ti matëshe kohën me akrepin e orës mbrapsht,
Doje me u kthy në kujtime,
Atëhere kur rreth oxhakut na grumbulloje,
E ne ngroheshim nga dy palë zjarre
Ate të zemrës sate
Dhe me prushin në oxhak…!
Ma thuaj nënë
Me cilën fjalë ta bekojë zotin
Që m’fali bijën tënde,
Dhe kurr s’më trembi jeta
U mësova nga forca jote.
Kur dhimbjet t’i shponin brinjët…
Ti prap thoje
Ka edhe ma zi
Forca, bija ime forca, mos të na vrajnë ligësit.
A e din bre nënë
Se rrënja e pragut u varfrue pa fjalën tënde
E oborri se ka rritën e diellin tëndë…
O zot falëm, falëm..
Se sot veç malli më flet.
Përditë jam grua
Në lëkurën time e të saj ndeshet koha lakuriq
se me lotët e tronditura e shamikuqen mbyllasysh
këndohej kënga e vajit.
Motet rrokullisen duke përbuzur qenien time e të saj
e rrënjën ia përbuzin me fjalët gri.
A ndoshta veç pse e shtyjnë të bëhet preh gjahu,
E liga thyer historish me ligjerata të përditshme
për ta bërë copë unin e saj prej çike.
Se nga sot pragu i ri nuk është yti.
Unë tash jam grua përditë, edhe kur ringjall jetën
apo kur gurohem amanetesh
edhe kur netëve pa hënë u bëjë roje
vetëm që mos shterojnë burimet,
e gjogut të bardhë
ia kreh jelat e besës,
se veç kështu e rriti emrin grua
Kanunit ia thyej rreshtat.
Rob shtëpie të mos më thërrasin më!
Dhe nga atdheu
Në trastën time të kozmetikës
Buzëkuq nuk ka,
Nuk ka as lapës për sy
As tush të zi çërpikësh
As parfum Parisi.
Për këtë
Ç’do të thonë zonjat “madam”…?!
Unë u them
Po ka dhe nga atdheu
Që e bart pas
Kahdo që endi trupin tim.
Me mungon dhe pallto e dimrit
Trikoja e trashë me lesh delesh
Çorapet
Ato kur nëna m’i dha ditën e arrestimit.
Ah…! edhe ato më mungojnë
Por s’ka gjë
Nuk ka jo,
Se trasta e mbushur me dhe nga atdheu
Palcë dhe shpirt m’i ngrohë.
Në trastën time të kozmetikës
Nuk ka pudër nga Stambolli,
Nuk ka as medaljon ari
As brushë e pincet vetullash,
Por aty ka një grusht dhe nga atdheu
Që njomë shpirtin
Dhe ngrohë ashtin në ditë acari…
Ai grusht dhe nga atdheu.
Po flas me ty
Po të mundi kohë e vdekur
Bija im
Je dromcë e harruar kohësh
Dhe zingjir që ndryshku bëhet me pëllëmbë…
Koha e vdekur e jeta bashkë
Punojnë në të kundërtën e gravitetit
Dije mirë
Se nuancat e hija nuk shkojnë bashkë…
Po tu vesh kohë e vdekur
Grise, grise, munde
Se ditët të kthehën në zhubravitje orësh
E hiqi lëshon rrenjë, e gris paqën
e shpirtit tënd…
Vraje kohën e vdekur
Shoqe mos u bënë me te
As mos pi ujë nga buzet e saj se e vdekura kohë
Të vdes dhe ty
po sdite me e hjek nga loçka e zemrës sate.
Leave a Reply