Desantila Qerimaj

Lindë në vitin 1980 dhe rritë në qytetin e Shkodrës, fillimet e Desantilës janë të lidhuna ngusht me muzikën, sidomos violinçelin. Studion ne Liceun Artistik “Prenkë Jakova” Shkodër, mandej në Conservatorio “Cesare Pollini” Padova Itali. Gjatë këtyne viteve mban të pacënuem mrendë saj pasionin për letërsinë. Merr pjesë si violinçeliste në orkestra të ndryshme simfonike dhe filarmonike në Itali, Shkodër dhe Londër ku aktualisht jeton. Pasioni i muzikës jeton paralelisht me atë të letërsisë tue marrë pjesë po ashtu në aktivitete e konkurse të ndryshme letrare. Së fundmi ajo po pregatit për botim vëllimin e saj të parë me poezi.

Rrahje

Jam rrotullue sa herë,
n’eklipsin e dashnisë
shpesh kam vizatue,
tokë, ajër e terr
për prekjen që veç njashtu,
siç din ti me shpërndá
e diellin e kam shtrëngue,
fort n’pllambë të dorës,
me rreze t’ashpërsueme,
që njena-tjetrën shtyjnë
drejt cakut t’rrugës,
ku koha asht yll i pikëlluem
ndërtue ujnash të shpikun,
prej përrallave bosh
për me ndje se edhe aty,
si e çmendun rreh jeta.

Të pashë

Të pashë,
nuk e di çfar’ syshë m’kishte dhanë qyteti
po prej meje n’ty, shkundej veç qelq.
Kujtimi: – sprovue nën andrrën përdhé.
E rrethue me njerëz, zhurmat përçonin në mue
vetëm refrenin: “Që un’ të pashë.

Krahve t’mi iu rrotullue horizont i paqtë
dhe zgjodha me iu amshue ajrit
si zogu ndër re që kurrë s’ka kenë i lumtunisë.

Rrugës vlonte murrlá dëshirash,
t’gjith të gëzuem, me at’ lloj shprese
që t’shtyen për në mish pasionesh.
Dhe un prap të pashë, atje larg, tej.
Thellë përhumbjes tande t’zakonshme
të pashë qindra herë në nji të vetme,
si mungesë e harrueme prej zinxhirëve
të ndamjes shpirt-kërrusun.

**********

Nata u shue mrendë universit
t’lkurës teme prej guri,
m’u qetsue brendia e saj n’zemër
e nadja çliroi nji lëndinë
prej poleni që un’ me pá
përditë e ma kjartë
si ndjenjat shpalosin
kambanat e trishta të kohës,
bashkë me botën e njeni-tjetrit n’agim.

M’kati

Nuk mërzitem
për asgjatë mbi krye
m’gërryen thellë krymi i tanësisë
pse s’asht e thjeshtë
me i jetue malet,
e me i vdekë hijet
duhet sosë çdo pikë dritë.

Mkati ma i dënueshëm
asht mos me njoftë zemrën
at’ zemrën që shkallëve
për n’anën e ftoftë të dheut
ulet përditë,
e që anës tjetër të qiellës
përditë i njitet.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: