Alma Braja

Alma Braja u lind në Gjirokastër më 1974. Që prej vitit 1993 jeton dhe punon në Athinë, Greqi. Ka studiuar për profesione turistike dhe vitet e fundit punon në një agjensi turistike. Kontaktin e parë me poezinë e pati në moshë të re. Pak para se të nisej për Greqi, punoi si spikere në radio Gjirokastra. Pas shumë vitesh pune, pati përsëri kontaktin e dytë me poezi. Ashtu si ajo thotë, ishte poezia që e gjeti. Krijime të saj janë botuar në tri antologji, njëra në anglisht, si edhe në gazeta letrare në Shqipëri. Exlibris, Mapo dhe Nacional. Poashtu edhe në portale si GazetaObserver.com;
DritarjaOnline.com; Atunis.com; Albmendimiarts.com. Vëllimi i saj i parë do të botohet së shpejti.

 

Pemë

Në të ardhmen do të jem pemë.
Si ato pemët,
që nuk kanë lule në pranverë.
As fruta në fund të verës.
Nga ato pemët,
që nuk zhvishen në vjeshtë.
E në dimër,
mbartin dëborën për qejfin e tyre.
Në të ardhmen,
do të duroj në trup
gdhendje të ndryshme ndoshta.
Ose fole zogjsh,
kështu,
për të thënë se më vonë,
ende jam pemë.
Mbi mua
do të lulëzojnë bimë të tjera.
Jetë të tjera do të lindin.
Mund të jem poezi në të ardhmen.
E një peme që nuk lindi jetë.
Por që mbarti jetë.
Në të ardhmen, mundet të jem pemë.

Mos u pikëllo

Nëse erërat janë larguar tashmë nga toka jote.
E pemët,
ato të paktat veshur gjethe,
nuk lëvizin.
Humbën plotësisht erërat.
Ishte një kohë kur flisnin,
ashtu si heshtnin pemët,
kur dëgjonin gjethet të fëshfërisnin.
Tani duhet të mësohesh me heshtje.
Ngadalë,
duhet të presësh erëra të reja të lindin.
Le të qëndrojmë këtu.
Në të shkuarën e ardhme është prehur shpresa.
Dhe në gjumë shikon një të ardhme të shkuar.
Mos u pikëllo që tani po fle.
E në ëndërr e sipër,
ngatërron të nesërmen.
Mos u pikëllo
Fundja me të djeshmen po e ngatërron.
Humbën plotësisht, në të tashmen,
erërat.
Mos u pikëllo!
Do të zgjohet shpresa.

Kam dhe unë një ankesë

-Më kupto-
jo nga të tjerë.
Kam dhe unë një ankesë,
nga toka ime e vjetër,
e papërdorur.
Nga toka ime,
e pambjellur kurrë.
Vijnë zogj në tokën time.
Zogj dhe bletë.
Vijnë dhe ikin.
Ngatërrohen,
nga era e nxehtë e verës,
që mbart aroma e erëra pjekjeje.
Pemësh që lidhin fryte,
nga tokat fqinjë.
Kam dhe unë një ankesë,
më kupto!
Jo nga të tjerë.
Nga një paripërtëritje e dheut tim.

Thuaj po!

Nuk lihen pas më të mirat.
Janë më të mirat që e dinë rrugën e kthimit.
Flenë e di.
Harrohen e di dhe harrojnë.
Dhe kur hapin sytë,
ndoshta nuk e dinë ku janë.
Mos fli!
Të duash më të mirat,
nuk është të duash të kallësh thellë dëshirat.
Mos fli!
Rruga e kthimit je ti.
Dhe thuaj po!
Thuaji po fluturimit.
E di?
Janë më të mirat që dinë rrugën e kthimit.
E rruga e kthimit je ti.
Nuk kallen thellë dëshirat.
Le të mbajmë më të mirat.
Të tjerat vrasin.
Thuaj po!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: