Linditë Ramushi Dushku u lind më 18.12.1984 në Gjilan. Shkollën e mesme e kreu në Gjilan, në shkollën e mesme të mjekësisë “Dr. Asllan Elezi”, profili pediatri. Studioi Psikologji në Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin e Tiranës. Përmbledhjen e parë me poezi e nxori në qershor të vitit 2004, me titull “Mos Hesht”, vëllimi i dytë i saj me poezi, i titulluar “Me sytë e ëndjes” 2012, vëllimi i tretë i saj me poezi është “ÂSHT GUSHT” 2019 dhe romani ” EVA njëra nga ato” 2019. Anëtare e Pen qendrës botërore të shkrimtarëve, Shqipëri (Pen Albania.)
Çmimi i dytë në poezi, në festivalin e poezisë, “Takimet e Poeteshave Shqiptare 2011″,Vushtrri. Vendi i parë ” Poezia më e mirë e botuar në filolet”, Zvicërr, 2012. Çmimi “Poete e vitit”, nga Kuvendi komunal, Drejtorati për Kulturë Rini e Sport, Gjilan 2012. Çmimi i dytë në poezi në konkursin anonim letrar “Flaka e janarit ” 2013.Çmimi blerës për vëllimin poetik “Me sytë e ëndjes” , në konkursin pë mbështetje të autorit nga Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës Çmimi inkurajues në poezi, “Festivali letrar për të rinj” Tirana 2016, Shtëpia botuese “Toena”, “Instituti i Librit dhe Promocionit”, “Ministria e Kulturës, Republika e Shqipërisë. Çmimi i parë në poezi, “Fadil Jakupi” , “Takimet Poetike të Karadakut, mars, 2017,Kumanovë, organizuar nga klubi letrar “Jehona e Karadakut”. Çmimi i tretë në ese, “Festivali letrar për të rinj” Tirana 2017, Shtëpia botuese “Toena”, “Instituti i Librit dhe Promocionit”, “Ministria e Kulturës, Republika e Shqipërisë.
E përfshirë në këto antologji: “Lotët e virgjër”, botuar në Londër nga shkrimtari Fatmir Terziudhe autor tjetër Agim Mato, botuar nga “APCO” 2012, “Ama e dheut”, Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, 2012, “Parnasi me aromë Gjilani”, shtëpia botuese “Beqir Musliu” 2012, antologji me poezi shqipe “Poesie albanaises” përkthyer nga Vasil Çapeqi, adaptuar në gjuhën frënge Francis Chenot, ShB “Le tailis Pre” , Belgjikë 2012, “Fjala poetike” 2013(antologji e poezisë shqipe në Kosovë), botuar nga Ballkan press, antologji e cila është botuar në 4 gjuhë huaja.
T’ka ra tàmli buzëve
T’ka ra buzëve langu i gojës tem
bash si tamlii nanës
q’i pikon gjinit
pos t’vluem untjes tànde
edhe dashnis’ t’urueme
për me t’ra kaherë e njejta urë
me i kalu madhnitë e jetës
nga gjini i butë
n’gojë e zemër t’njomë
dashnie përqafuem veç teje.
T’ka ra tàmli nxehtë
buzëve
si me t’pas (nêm) urue ortë e malit
si ato t’bardhat llastueme fatit
q’i i sjellin fustanet e holla kàmbësh
e njâ si ti
çapitet për me i pa e ngopë natyrën
e synin
me lshu n’djersë q’i t’lagin edhe hukamën.
Druej se ke ra edhe ti dashnie
në mue
kulluem tàmlit t’nanës
N’buzët e mia t’valës
për pa e dit sa t’mujnë.
Nji hukamë
Nji hukamë
aq âsht bota
nja e mbshtjellun avullnie
qi na mban si mrena fluske
trupin
e shpirtin,
tash na
jena njerëz t’friksuem
prej që moti
qi n’sy s’dijme me pa
a âsht dashni
a vujtje
…e çfarë bajmë?!
Athué
gjama ma e madhe jona
rrin brenda
për pa dàsht me dal jashtë
si bubullimë
qi t’i kërcet veshtë kur nihet.
Veç strukemi
skutave ndertueme
shtepive mure gurë
a nashta skutave që ia kemi ba vetit
erresuem frikash
për pa dasht me gjet driten
për pa dasht me çel driten.
Hukamë jam edhe unè
nja si bota e fluskueme
dalldisun moteve
pa e ditë kurr
çka bahet prej saj.
Âsht natë pa hanë
nji natë e gatë
kjo
veç qilli ndritun yjesh
qi m’qon peshë për t’kaluemen
…herë m’i mshel tana udhët e mendjes
për pa m’lan m’i knue te nesermes
m’thot
veç ofshaj
se t’dokna voglue
po unë s’di me knue pa za
as lot me lan pa dal
me u ngurtnue zemrës
qi t’përvlon,
jo, s’jam unë
qi knon pa za,
flet pa gojë
a kjanë pa lshue syni pikla.
Nji zhig qi t’zen frymën asht dashnia
E diela e ardh/ikjes
ma sjell n’mend nji rreth qi m’ban horë
para vetit
për qiknin e besueme drynit t’huej
qi ka lé n’mes dhimtes e dimnit t’para perfunduem.
Nji zhig qi t’zen frymen âsht dashnia
mos me t’lan mi shlye mëkatet e vogla
se voglue mbetet zemra
n’para nusni
n’mos i kallxoftë rremat se pèr çka i vlon gjaku
…vèç dashnie n’koftê
t’zen besë fjala “qi ki me majt duersh” zanen
kur t’bjen para
prej t’lshuemit kamêve
a prej zânit tand
kur thrret n’emên.
Druju t’dieleve qi i kanë t’shkrueme udhtë
do t’ardhme
e do t’shkueme.
Veç të due
Asgjá s’mundet me më tregue ma mirë
pos kanga jote që vjen n’veshin tem
si gjeth-kuqja e vjeshtës
…bjen ngadalë
tokës
t’u i ba portret krejtë stinës.
Asgjâ s’di
pa e njoftë kangën tane
që u k’nu k’tyne rrugicave
t’mbushta me vrima takash
t’ngushta,
e t’zanuna qoshet me stola t’vizatuem zemrash
…nashta edhe t’ardhëm-shkuemve tjerë…
E njoh kangën tane
bash kur m’flihet ma së shumti
n’ag të dritës
m’thot përherë
veç të due!!!
Leave a Reply