Leonora Bruçaj ka lindur në Istog në një familje me tradita qytetare dhe arsimdashëse, jeton në qytetin e Prishtinës me bashkëshortin Agimin dhe djalin Leon. Studimet Master i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë, dega Letërsi Shqipe, drejtimi Shkencor në Universitetin publik “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Diplomoi në Kolegjin FAMA, drejtimi Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, Master. Ёshtë Phd cand. – doktorrante e shkencës së Letërsisë Shqipe, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë.
Leonora Bruçaj, si një poete e re dhe me shumë vizion për botën e artit dhe kulturës letrare shqipe, poezitë e saj i botoi edhe nëpër revistat letrare të kohës siç ishin: Pionieri”, “Gep”, “Shëndeti”, “Dielli”, “Kosovarja”, “Zëri i Rinisë”, “Rilindja”, “Bota e Re” dhe në Revistën “Bashkimi” në Shqipëri. Është ligjëruese e lëndës “Letërsi e antike” në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” në Prizren. Është ligjëruese e lëndës “Histori e letërsisë shqipe II” në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Autorja deri më tani ka botuar dy libra me poezi dhe është fituese e një numri të madh çmimesh në fushën letrare. Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe e Unionit Global të Poetëve Shqiptarë.
Sonte flas me Detin
Këtu afër detit,
valëvitet lutja ime për kthimin tënd…
E erërat më rrëmbejnë padiktueshëm
Në këtë natë të etur për shiun…
Për shiun që vetëm unë e ti e njohim!
Dëgjoj se si i marrin erërat fjalët e thëna,
dashuri e pajetë…
Shumë herë të pata thënë,
Mos më thuaj të dua,
por të lutem më duaj!
Lutem tërë natën,
Herë para reve,
herë para yjeve…
Herë para teje,
që je thellë në mua, e s’të shoh askund!
Si të lutem, kur lutjen time askush s’e dëgjon…
Kur dhimbjen time askush s’e ndjen,
E unë këtu duke u puhitur
Herë nga dhembja,
herë nga dashuria,
S’di çfarë kërkoj nga jeta
Dhe drejtohem me zë të lartë nga qielli…
Të lutem mbaje për vete këtë timen fshehtësi,
Lakuriqësinë time s’e njeh askush më mirë se Ti ,
o qiell!
Dikur kur pata humbur
në horizontin e epsheve të yllit të zjarrtë,
Dhe këto shkreptima nga thyerja e shpirtit tim,
Që përshkojnë fizikun tim të njomë nga dashuria
O det që këtu pranë të kam,
tregoj yllit tim atje lart
Qe ai është ëndrra ime e artë…
Dhe lutem qe t’më presë n’freskinë mëngjesore
Për t’filluar, këngën e pakënduar…
Dhe thuaj, që ai s’ma njeh dot etjen që kam për të…
Lute që thirrjen time të ma dëgjoj,
dhe të mos tretet nga dallgët e këtij deti
që gëlltiti edhe dashuritë lakonike!
Rrëfim i poetit
N’agimin e pranverës
kam andërr t’ pres krahëhapur
Pêr dashunin’ q’i kurr’ bashk’ s’e gzuem
Njoh mirë c’a dashnor’
E, kurr’ nuk u deshtën
Jetuan bashk’ për hatër t’dikujt tjetër
E fëmijët mbeten pa mbiemën
Për dashnin’ e tyne t’gjith’ u trishtuen
Sonte n’kët pranver’ kur ik’ zemërimi
Ajo dashuni mbetet si gëzim i parrëfyem
Ndoshta do t’harrohet shpejt’
Do t’vdes’ poeti
Do t’vdes’ poezia
Askush s’do t’rrëfen
Për tradhëtit’
Si Heloiza e re
Kur theu heshtjen n’planetin ton’
Tani t’kërkojn’ nuse dit’ e nat’
Po shoqen tande s’e gjejn’ askund tjetër përpos n’pasqyrën t’ande
Ose n’përrallëzat e Onikut
Apo në vargjet e Homerit
E vasha e etun’ për hanën n’lindje
E diellin n’perëndim
Mbeti e shtrirë në shtratin
E njomur me lang’ dashunie
Duke pritur
Diellin t’i lshoj’ rrezet t’a ngrohê
Dhe hënën ta puhitë drejtë gjumit t’pakthim’
T’çmallet n’argëtime…
Klithmë dashurie
Ende gërmoj emrin tënd
në horizontin e shpirtit tim të verbër
Pluhuri po e rrafshon atë emër
që moti shpirtin s’ma gëzoi
E frymën po ma zë
afshi i dashurisë vajzërore
Duke klithur për virgjërinë e Evës n’parajsë.
Se ç’po i ndiej bubullimat
kundër stuhive për dashurinë e ndaluar
A thua?
Kush u bë viktimë e ëndrrës së kamotshme
Për t’u zgjuar bashkë në mëngjesin e lagur nga vesa?!
Mbi trupat tonë të zhveshur
Të zë gjumi i thellë
në shtratin e tradhtisë
Si mund ta gjejë rrugën
udhëtari i verbuar,
I verbuar së dashuruari
Për ankthin e padalë
Duke i rrëfyer së dashurës
Tregimin “natën e dimrit pa borë por me shpirt të ngrirë”
Që nesër dëshiron të hyjë
në pranverën e shpirtit vajzëror
përmes dritares së thyer…..
Vitor i andrrës t’eme
Ambëlsisht do t’puthemi si fëmij’
Dashunia do t’metet n’ledhatim t’flokëve tona
Do t’mbaj n’mend si yll i mbramjes pa mbarim
Si diellin veror q’i përcllon’
Si detin e rrëmbyem q’i merr jetna matanë
Do t’ mbaj mend si qiellin
q’i mban fshehtësitë e botës për vete
Do t’mbaj mend si natën,
si natën e egër q’i pret ta gëlltisë dikë,
por vdes urie
Do t’mbaj mend si
dimnin e acartë në shpirtin e stinës
Do t’mbaj mend si
dhimbjen e nanës për fëmiu
Do t’mbaj mend si
trishtimin pas humbjes së nji dashunie
Po kurrë s’do t’mbaj mend si yll në qiellin t’em
As si lule n’kopshtin t’em
As si figurë n’vargun t’em
As si pikëllim n’kujtimet e mia
S’do t’mbaj mend gjatë, se ti ike…
Ike… bashkë me trishtimin e humbjes
Dhe ty kurrë s’do t’mbaj mend
për dashunit’ e rrëfyeme
Nji dit’ do t’kujtoj
se si ikin njerëzit nga kjo botë e egër
Duke mos ditur kurrë ç’është dashunia.
Leave a Reply