Puntorie Muça Ziba

Puntorie Muça – Ziba u lind në Strugë në vitin 1954. Shkollën fillore e kreu në Veleshtë, të mesmen në Strugë, kurse Akademinë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Shkup. Deri më tani ka botuar:
Poezi për të rritur: “Rruga e mjellmës” poezi për të rritur-1987, “Sodisin yjet” poezi për të rritur-1990, “Kuku” poezi për të rritur-1977, “Rapsodi udhëtarësh” poezi për të rritur-1995, “Suita e lënduar” poezi për të rritur-2002
“Suita ime” në gjuhën Maqedone ” Mojata svita” poezi për të rritur-2000
“Vega”-poezi për të rritur-2006, “Koha e qershive”-2018.
Poezi për fëmijë: “Yllkat bisedojnë me meteorë” poezi për fëmijë-1994, “Xixëllonjat luajnë valle natën”poezi për fëmijë-2007, Pjesë dramatike për fëmijë: “Aventurat e princit Ujkan”-1999.
Tregime për të rritur: “Shtatë vjet pritje”-1974, “Te logu i cucës”-1998, “Mjedra e egër në malin e thatë”-2003.
Pjesë dramatike për të rritur: “Motrat me shirit të kuq”- e inskenuar në Shkup dhe në Teatrin Kombëtar, Tiranë 1993 -1994. “Dorotea” e botuar- 1998, “Udha e ikjes” – fitoi çmimin e tretë në konkursin “Buzuku” e botuar -2007, “Nuk martohem kësaj vere”-1999, “Zonja me celular”- Monodramë- e botuar në revistën « Jehona », “Ahengu i grave të qytetëruara”- e botuar në revistën “Jehona”, “Djajtë e netëve të fundit”- e botuar në revistën „Jehona“, “Harta sekrete”-komedi.
Romane:
“Vjeshtë totemesh”-2007, “Emma Jazzi”-2009, “Unë, dhuna dhe Emma Jazzi”-2009, „Edhe qielli mbetet i kaltër“-2011, „ Gjurmë dhe ishuj“-2012, “Ndërgjegjja e pleshtit”-2016.
-Poezitë e Puntorie Zibës u përkthyen në maqedonisht, anglisht, rumunisht, maqedonisht, frengjisht, gjermanisht etj dhe është fituese e mbi dhjetëra çmimeve e mirënjohjeve letrare.

Lot

( Tani po i vë shpirtit një gur
dhe ju lus të mi nxirrni sytë.)
Në altarin prej dy kokrra sysh
lumenj lotësh
që derdhen kur vjen e ik një grusht stinë
kur ndahen rrugët
kur piqen kumbullat binjake
dhe në një fron, kokulur nusërojnë vajzat
pranë pirgjeve ëndrra ngujuar,
ku plakat tundin degët e mendjes
dhe me gishtin e unazës
në kyçet e gishtërinjve
numërojnë vitet,
kur hutimthi pikon gjethja
dhe pas dy stinësh, nadje hap petalet një lule
që kruspullohet në muzg
nga shkrepjet terratisëse.
Në altarin e syve pas çdo rrëzëllitjeje
mpiksen lotët
kokrra-kokrra kristali
mbi mollëzat e kërcyera
që filluan vyshkjen.
Prej sot po i vë shpirtit një gur
dhe ju lus të mi nxirrni sytë e mbufatur
prej çurg lotësh,
ngaqë pata rrëzëllitje të pakthyeshme
me ata që rash në ujdi.

Gratë

O grua stoli,
prej kur errë e zbardh drita në ferk
me faqka të purpurta.
O kurm dhembjesh,
o det lotësh
ti je pjergull,
ti je rrush në sytë e botës,
ti je fletë pjergulle
në shtëpizat me nëntëdhjetë e nëntë dritare
me oborre e kopshte mbush fiq e mollë,
ti je pjergull që varesh mbi degë
e lëngëzon për foshnjet tua
që të yshten nga drita e syrit
me pikla-pikla vese,
nga bardhësia e gjirit
me lëng rrushi
në faqkat e tua purpur
ku fshijnë turirin e butë
prej bebeje
dhe kokrrën e lotit
kur ju rrëshqet.
O grua që mbete rrush në sytë e botës,
o zemër valëtrazuar përtej detesh,
malesh, universesh,
nga ankthet e pritjes së bijve adoleshentë
kur lulojnë e trazohen nga pasthirrmat dashurore.
O grua, o lule pjergulle nazike,
mos e lodh shpirtin që nuk erdhe mashkullore
asaj dite kur të lindi nënoja,
se, s’do mbeteshe lule aromatike në sfond prej hënëze
varur në mur,
s’do të nguliteshin sytë e fëmijëve të diellit,
në sytë e tu me pikla vese.
Ti je përjetësia e zgjuar, moj lule lehonë
me ninulë në gojë deri në ferk
kur t’i zë gjumi bebet vajzushe
në shtrat të natës
se rriten bëhen pjergulla plot me rrush
moj,
plot me rrush
dhe nisin lëngëzojnë jetë
kur i mësojnë dhembjet e shtërzimeve të lindjes,
e i kujtojnë sytë e stërdala si kumbulla
nga therjet e lulebarkut afër lulekërthizave
që ngadalthi, ngadalthi përqafohen me hyjnoren,
hedhin përtej universit frikën e shtatit prej zane.
Ato bëhen gra
sajojnë një qafë ujkonje
sa të mos lakmojnë e të mos vdesin
për një kokërr kripe, nga dyert e botës tinëzare.
O, nëno,
o, nënoja jonë
o, grua me kurm prej plagësh, me kurm luleje,
lëkurën e pëllëmbëve zumpara, moj zumpara,
kur i vë gjoksin punës
kur i vë gjoksin artit.
O, shpirt dinjitare, mes sysh trazuar të rigon mall,
rigon aromë lehone
kur kokrra- kokrra
bijë e bija yshtin shikimet e syve tu, me vesë lotësh.

Ethet e lindjes

( lulefoshnjeve )

Pas shtërzimeve të shpeshta
kur therëthikat përçajnë eshtrat
e një shtati karafilorë,
ditën e fundme të muajit të nëntë
të gjitha zanat që bëhen nëna
çjerrin zërin:
O zot, ma merr shpirtin,
klithin ato lulekarafilet
dhe shpurdhin këmbë e duar
mes butaforisë së bardhë
para një gurgule grash tjera
me shtat prej zane,
duke ftuar ditëvdekjen.
Oh,oh Zoti ynë!
Rrahin kofshët e tyre të bardha
shkulin flokëprishurat,
qajnë e thirrin:
Oh, nëna,
nëna moj nëna
athua na kanë kafshuar nepërkat!
Dhe,mos zot më keq,
po të mos iu kujtoheshin atyre
faqekarafileve,
lulefoshnjet që vijnë në jetë,
do ta merrnin veten më qafë,
do ta çaraveshnin zemërdashurinë
e do ta copëtonin atë copkë jetë,
copa-copa do ta hidhnin në bunacë.
Sepse,
edhe një pipth karafili hapet më lehtë
e luhatet me naze nga një fllad pranvere,
se një rrugëtim i një lulefoshnjeje
kur merr hov të del buzëvaj
nga ngrohtësia embrionit,
pa lënduar gishtërinjtë
petale karafilorësh,
që të kap pak dritë nga sy prej nëne
e të thith qumësht gjiri
pasi nënat të bëjnë naze
me faqëza bojë purpuri
që iu mbetet nga shtërzimet.
Dhe nënëzat hapin sytë
me një buzëqeshje
si ndër buzë,
dhe ato shikojnë
ah, mrekullohen duke shikuar,
gjakun e gjakut të tyre
në fytyrën kuq
prej bebeje,
duke lëvizur qepallat,
e duke hapur buzënjomat
se kërkojnë thimthat
për të shuar urinë
mu, aty te lulethimthat
ku zgjohet pikëjeta
e buron qumështi i bardhë
i përzier me aromë gjinjsh,
me aromën e diellit të kuqërremtë
dhe bukurinë e hënës së brishtë…

Baladë për veten dhe Prometeun

Unë rri e pres si zog ferre
kur të tjerët duan t’na fikin diellin.

Këtë pasdarke dimri,
derisa bora zë borën e thatë
unë gjorqinakja
me gishtërinj mëndafshi
e me fije bari
ta thuri jelekun e kuq.
Eja Promete
më sill ajër
nga dheu i shkriftuar
se do t’them mirë se erdhe
e me ujë krojesh
në legen do t’i laj këmbë e duar,
do të pjek zog në hell
do të gatuaj bukë të ndorme,
që pasdarke të fluturojmë
përtej përvidhjes së rrezeve hënore,
derisa të rigojnë sysh,
lot trëndafilash.
Unë të pres si zog ferre
kur të tjerët duan t’na fikin shpirtin.
Këtë pasdarke dimri,
derisa bora zë borën
unë gjorqinakja
pres të më vish
e të vdesësh
ngadalë,
thërrmijëza-thërrmijëza
tue lëmuar
ballin e djersitur,
tue dëgjuar baladën
që e shkruaj me gishta në ajër.

Unë rri e pres Promete,
si zog ferre
tejendan mërirave
ku e keqja na mbiu n’derë,
ku duan t’na fikin
edhe hënën me gjithë yje.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: