Donika Dabishevci

Donika Dabishevci (1980) u lind në Prishtinë. Ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku ka përfunduar masterin, duke vazhduar  në  Universitetin e Tiranës, ku në vitin 2013 doktoron me temën “Proza poetike në letërsinë shqipe”.

Donika ligjëron në njërin nga universitetet private në Prishtinë, ndërsa përvoja e saj lidhet edhe me media. Ka punuar në disa gazeta e revista, pastaj në Radio Televizionin e Kosovës. Në vitin 2017 ka themeluar portalin e lajmeve “Gazeta Observer” të cilin e menaxhon e po ashtu që nga fundi i vitit 2019 edhe portalin për kulturë, letërsi dhe art  “ObserverKult”.

Ka botuar librat: ‘Krizantema të plasura’ (1996), “Imazhe të brishta” (2004), “Proza e poetizuar – F.Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari” (2015), “Kam me ardhë si deka” (2015), dhe “La tua robinja” Romë, (2017.)

Është anëtare e PEN Qendrës së Kosovës.

Me poezitë e saj është prezantuar në festivale vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa me punimet e saj shkencore në një numër të madh konferencash e seminaresh që kanë të bëjnë me fushën e Albanologjisë dhe Medias.

Poezitë e saj janë përkthyer në gjuhën angleze, gjermane, frënge, turke, suedeze, rumune, bullgare, maqedone, serbe, etj.

Buzën!

I keq, ti…!

Pse m’rri hutueshëm
i rand’ plumb prej heshtjes?

Diellore jam unë
s’jam nemë e zezë.

I panjohun mund t’jetë
veç çasti që mblatoi
këtë joshje t’egër,
çmendunisht thell’.

Pse druhesh?

Nji ditë as ti e as unë,
s’kemi me kenë ma
kemi me humbë,
kemi me u zhba.

Ti ke me u kthye n’moçal,
unë n’llavë vullkani,
ti ndoj prrue n’vërshim,
e unë kam me shndritë si ylber,
si ylber shumëngjyrash plot gzim!

Mos u tkurr,
Shpërthe si vrushkull gjaku!
Shndritma zemrën,
përflakma trupin.
Dhe po: Buzën!
Qenie e dobët që do lutje:
Buzën!

Jam msu me u dhanë
dej n’kthetra t’dekës
me u lshue tan’ buzëqeshje.

Akull me gjak kam shkri
pa ni kurrë sa kam marrë,
i marrë!

Kam me t’dhanë frymë,
kam me t’dhanë shpirt,
kam me t’dhanë jetë,
ty gur i heshtun
unë diellorja!

Se ta du buzën,
mor qenie e dobët.
Ta du buzën,
mor i marrë!

Kryqzueme para tij

Jam krejt e brishtë
kur ftyrë e tij m’zen ninëzat

T’dridhmet trupit
ma zi se t’rrnqethunat dimrave t’acartë

Krejt n’gjamë, plotë frymë,
humbun n’valë jam,
nji shej’, nji rreze, nji dritë tuj pritë

Fort u qindron tundimeve t’mija
ai i mbështjelluni me diell n’flok

Prej syve, mollzash, poshtë buzve tan’ musht
kryqzueme e zbrapsun para shenjtnisë s’tij

S’jepet ai,
luftar mitik që s’njeh dorëzimin

Dashnia n’mu veç vjen e rritet
se e du fort e i falem veç t’pajepshmes.

N’lug mali

Hana zhdergjet poshtë malit
zdritë koliben e vogël me kashtë
bjen avujt e shelgjeve t’mallit
që i lkundin edhe eshtnat n’rrashtë

Shpirti m’zhvatet
tuj m’i shkulë gjembat
gjum’ t’lum’
nuk m’len n’qepallë
m’ban me i ndjekë
fërkemtë e kuq t’andrrav’
trastë t’harrueme
t’tyne me marrë

Me hapë varrë t’lagshta dëshirash
tuj t’andrru rob n’hallka zingjirsh
ni gur t’madh me ta rrokullisë trupit
me t’u gjujtë si ulkonjë egërsisht

N’fushbetejë me ta matë burrninë
se s’du shpirtit kurrë bari me m’bi
des me i çelë sytë n’at’ lug mali
hallakatshëm tuj t’pa ty përmbi.

Dashnisë së nji nate

Erën tande nuhas
trupi lehtë m’dridhet
zemra m’rreh ngadalë
prej tutës që s’ke me ardhë
mos gabo
se shpirti copë do t’mbahet
e ma e fortë se deka
asht’ dëshrimi jem për ty

***
Due me ba
tuj kanë
n’nji shkretinë të paanë
a n’nji ishull plot det
ku dallditë frymojnë
n’fllin e vet
n’zall e n’lloq
n’ujë e n’djersë
n’natë me yje e hanë

T’due si s’kam dashtë
kurrë
asnjiherë ma parë
dashni soji t’bajmë
pa fjalë e andrra
veç afsh

Kurrë s’t’kam thanë
se ti je hamshor
e unë harlisun jam
për gja tjetër n’kët’ jetë
zhig s’më mbet’
prekmë
pa fjalë
për net pa gjumë
ta bajmë

***
Due me iu dhanë natës
qysh i jepet nana fmisë
pa asnji fjalë
asnji peng
asnji kusht
Due me t’pas’ krejt,
t’zhveshun
dej n’asht
e me vlu
e me u shkri
me shpërthye
e me kanë e lumtun
veç që jam n’kët’ botë
veç që jam me ty
sall për kët’ çast
kam me luftue dej n’frymë t’fundit

***
Bash s’due me t’pa ma
me ndie dhimtën e ndamjes dej n’asht
me e pa lamshin e zanun n’fyt lak
frymën tuj m’u përbiru
e trupin tuj m’lshu

Bash du me çue dorë prej tej

4 responses to “Donika Dabishevci”

  1. Poezi qê të rrënqethë. Poezi që dêshmon se sa e bukur është Gegnishtja, kir buron nga shpirti.

    Like

  2. […] Lexo më shumë poezi nga kjo autore: […]

    Like

Leave a comment