Luljeta Lleshanaku

E lindur në Elbasan, Luljeta Lleshanaku u rrit nën regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. Studimet i kreu në Universitetin e Tiranës, më vonë përfundoi edhe studimet postdiplomike në kolegjin Warren Wilson. Lleshanaku është autore e tetë përmbledhjeve me poezi të botuara në Shqipëri, dhe katër në anglisht: Fresco: Poems Selected (Directions New, 2002); Haywire: New and Selected Poems (Libra Bloodaxe, 2011). Poezitë e saj janë përkthyer në frëngjisht, sllovakisht, gjermanisht e anglisht dhe janë botuar në revista prestigjioze kulturore siç janë: “Grand Street” dhe “Seneca Review”. Ajo është fituese e çmimeve: Çmimin “International Vision prize” ( Sh.B.A, 1996) – Çmimin per Librin më të Mirë të Vitit, Eurorilindja (1996) – Çmimin kombëtar “Penda e Argjendte” (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, 2000) – Fituese në konkursin kombëtar të prozës “Europa, atdheu ynë i përbashkët” (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, 2004) si dhe 
çmimit “Crystal Vilenica”. Ka qenë shkrimtare rezidente dhe bursiste e Programit për Shkrimtarë Ndërkombëtar të Universitetit të Iowa-së si dhe të Institutit Black Mountain.

Rrëfim në vetën e tretë

Ajo zë fill
kur fillon të kërkosh një errësirë të ngjashme
me veten, si rimën në vargun pasues,
për pak muzikë, apo shkëmbim karboni si lulet në mbrëmje,
ajo- njdesia e të qënit dyzet vjeç.
Dhe është vetëm çështje stili,
mënyra se si ato vendosen mbi
njëra- tjetrën. Sepse nuk pritet më përplasje, dhe as zhurmë,
goditja më e fortë tashmë është marrë,
si statujat, së pari, e marrim atë në hundë.
Një grua afër të dyzetave
është një hije në kërkim të objektit
një e folur në vetën e tretë;
varg mësimesh, me shënime të vockla të kuqe djathtas,
dhe nënvizimesh. Zbrazëtitë midis rreshtave janë mishi, si trupi
-vendpushime të shkurtra, pas derës së dentistit
nga ku hyn edhe del
duhma e arsenikut.
Përvojë.., përvojë.., përvojë,
Zigzage të vogla, dhe sensi i së plotës
me të cilin, krimbi i mëndafshit bren gjethet e manit
duke u nisur nga maja.
Ajo bën paqe me gjithçka: mban sirtarët në rregull,
dhe bën joga,
duke praktikuar shpirtin si një start
ngjitjesh dhe zbritjesh.
…kur i afohesh të dyzetave,
Ose më mirë: nëse i afrohesh të dyzetave,
sepse të jesh dyzet nuk është një ligj nganjëherë,
por, një zgjedhje
siç zgjedhim në park atë stolin me shpinë nga rruga
nëse nuk presim dikë.

Vonesa e turpit

Thuhet,
se qenë pikërisht parfumet,
ngurrim për të lënë Versajën pa aromat e saj të preferuara trupore
(kur kuajt hingëllinin rrezikun në oborr),
shkaku që i mori jetën Maria Antuanetës.
Një herë bagazhi im
Mbërriti dy ditë pas meje në Dublin.
Të brendshmet, këpucet numër 37, takëmi i higjenës
tharësja e flokëve, këmisha e natës, valiumet,
novela e përthyer në faqen me gërma korsive
dhe fustanet medium-petite,
vërtiteshin të hutuara, analfabete
në trasportierët e boshatisur të aeroporteve transit.
Trupi është i ngathët; vështirë se të befason
me kontinente dhe njerëz
të cilët imagjinata jonë i kish zbuluar me kohë.
Dhe gabimisht mund të mendosh
se kur je i ri, i bukur e gjithë shëndet,
është trupi që paraprin.
Kujto sa herë ai është lënë i vetëm në qilimin e kuq
si aktor episodik, nën zhgënjimin e kamerave.
I ngathët, por dinak,
ai gjuan rastin për të të mbërritur.
Ja kështu, në momentet e mia të hezitimit
erdhën në jetë fëmijët. Dhe kopshti mu zgjerua me të tjera stinë, tabela,
dhe të tjera mëdyshje.

Me ty

Do të ulem në kënd të buzës
si në një shkëmb, pranë një ujëvare
e sigurt se s’do më rrëmbejë shtjellë e fjalëve.
Do të ulem në kënd të syrit
si një zambak i mbirë në ujë pranë bregut
me fletë të vogla që t’mos zë shikimin.
Se unë në fund të fundit, ç’jam? –
Një dallgë e ngrirë në hapësirë
e shkulur nga deti i gjoksit tënd.
Shtrin duart të më arrish e s’më arrin.

Katër fjalë

Eskimezët kanë pesëdhjetë fjalë të ndryshme për “dëborën”:
të renë, të shkelurën, të thinjurën, të mbledhurën në togje.
Ata janë në gjendje të dallojnë nuancat e së bardhës,
hiçit, asgjësë, të sotmes së pafund,
që vetëm një sy i lirë ia del.
Andej nga unë vij, përdoren katër fjalë të ndryshme për mbrëmjen;
çuditërisht ajo që i rri më mirë, është fjalë e huaj
që rimon me “jargavan”,
e sjellë nga pushtuesit, dhe jo nga tregtarët e erëzave,
Andej nga vij unë kanë vetëm një fjalë të vetme për “mërzinë”,
si edhe për “ujin”, që merr formën e enës që e mban:
secili fatin e vet, secili mërzinë e vet.
Grekët kanë katër fjalë të ndryshme për “dashurinë”,
si katër kunjat e një tende, që të jep patjetër një copë vend në këtë botë,
në mos sot, nesër.
Ndërsa në vendin nga unë vij, sipas antropologëve,
deri para një shekulli nuk ekzistonte asnjë fjalë e vetme për “dashurinë”,
por vetëm një dyshim i zgjuar-naiv që
“duhet të ekzistojë patjetër diçka më e madhe se ne, apo jo?”,
me gjestin retorik të një mbreti, i cili pyet,
por përgjigjet pret t’i vijnë vetëm në ëndrra.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: