Faqja Kryesore

Vjeshta është grua
nga ato gratë e hirshme
të cilat burrat i presin dimër pranverë e verë
për ti shijuar si frutin më të ëmbël të pemës.

Ilire Zajmi
Dije Demiri Frangu
Se ende jam grua unë
Dhe lëkura ime ka memorie të fortë
Kafshimet e marimangës së zezë
Pëlcasin turpshëm si kallo mbushur ujë fekal
Kafshimet shovene që e bën gjak gojën dheut
Ditëve kur bombat shpërthenin lirinë
E unë ende jam grua besoni, jam nënë
Në gjirin e kafshuar nga marimanga e zezë
Thithë qumështin biri im….
Edi Shukriu
Më the se yllin
ma zbritët nga qielli –
ma dha ndër duar
e pashë me sytë e mi’
derisa më tregoje për
Fatbardhën
damkat i fshije
në përralla
Bija ime s’e do më
rrëfimin për Kësulëkuqen,
mpreh mendjen
t’ia zë pritën ujkut
dhe gjakon yllin tënd.
Burbuqe Rushiti

Athua ku je,
Je ende në shpirt gazetar,
Apo shtegëtar për kafshatën e hidhur,
Në shtëpi ndoshta si unë rri
Duke i ruajtur engjëjt nga shtërgatat e ferrit
Në mesnatën ballkanike
Ku qeshin e lozin vetëm lugetërit.
Athua ku je,
Në pritje të rrezës së parë,
Shenjë për takimin tonë të ri
Në një ditë të bukur pa shi e stuhi.

Ledia Dushi

sonte bijn yje e secila grue grish tjera gra mbështjellë n’sende t’buta ndoshta kangë a dashni bijn yje e gratë bahen pezullì e ndezin kangë a dashni
n’turra drush nën qiell n’pyll digjen gra ndër turra drush kangësh a dashunish
e rrugës s’kthimit shihen mbështjellca plym n’yje t’mbledhuna
e kensa që lëshohen gulçues me dukat e grave
t’mbetuna hi blatimi n’pyll


Luljeta Lleshanaku

Në familjen time
lutjet bëheshin fshehtas
me zë të ulët,
me një hundë të skuqur
nën jorgan, gati mërmëritnin,
me një psherëtimë në fillim
dhe fund të hollë,
e te paster
si nje garze.

Donika Dabishevci

T’bajnë za
me e nxerrë atë zemër miu
prej sëndukut t’vjetër
ku e ke mshefë
me dalë prej burgut
që ja ke maru vetes
me marrë ni udhë,
me rrnu a me dekë

Entela Tabaku

këtë grue që ec në mue
trupi nuk e nxen ma
 vedit i ban vend me thika ma çan mishin përbrenda jashtë
 gjakun ma pin
 më len pa fjetë
 më len pa hangër
 me fjalë e mban frymën
 me sytë e mij shef
 më shef si të ishim dy
 e më përqesh
 e më vajton
 si të kisha vdekë
 e si e marrë këndon
 e kërcen
 me kambët lidhë për këpucë


Erenestina Gjergji Halili

Femën

T’kqyri me flok’t prishuna,
me rrathin e synit pa mblùem,
me teshën e gjumit t’pâ bâmë,
e t’rroki dashninë.

T’kqyri flok’t e mbledhuna,
e rrathin e synit mblùem,
teshën e gjumit ndrrùem,
e t’qafi sojninë.

E di se ti sa mali bân,
si ti e di dhimtën e barkut,
hapin ta ndij pa randùe,
Njifná, pa m’njoftë mùe,
se un’ jam si ti, femën,
ti si un’, grùe



Kontakti

Dërgoni mesazh